Rregullat e përgjithshme
për lojën
“LOTARIA E GARAVE VIRTUALE”
Rregullat e përgjithshme të paraqitura më poshtë (“Rregullat”) janë të vlefshme për të gjitha kontratat e Lojës të lidhura mes Shoqërisë dhe një Lojtari, nga data e miratimit të tyre nga Autoriteti i Mbikëqyrjes se Lojërave te Fatit.
Këto Rregulla, vlejnë si për pjesëmarrjen nëpërmjet Pikave të Autorizuara të Shitjes me pajisje online, ashtu edhe për pjesëmarrjen me anë të të gjitha llojeve të mediave të tjera (p.sh. internet, telefon celular, etj.).
Përkufizime:
Përjashto rastet kur konteksti e shpreh qartësisht ndryshe, fjalët e mëposhtme do të kenë kuptimin e mëposhtëm kur përdoren në këto Rregulla:
“Shoqëria” – operatori i liçencuar i Lotarisë Kombëtare, Lotaria Kombëtare sh.p.k., me seli qendrore në Tiranë, Shqipëri dhe adresë të aktivitetit në Rr: “Murat Toptani” 13, Eurocol Kati 5, 1001, regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit me NUIS L22119005R;
“Sistemi Kompjuterik” – Pajisjet teknike të specifikuara nga Shoqëria për pjesëmarrjen në Lojën e Lotarisë së Garave Virtuale duke përfshire por pa u kufizuar me to; sistemin qendror, pajisjet respektive të lojës dhe median elektronike që lidh të sipërpërmendurit;
“Ligji Shqiptar për Lojërat e Fatit” – Ligji Nr. 155/2015, datë 21.12.2015, i ndryshuar herë pas here dhe/ose Ligji i Lojërave të Fatit që shfuqizon Ligjin ekzistues Për Lojërat e Fatit, si dhe ndryshimet që mund t’i bëhen herë pas here;
Loja “Lotaria e Garave Virtuale”- është një lojë e lotarive elektronike, e ofruar nga Shoqëria, e cila luhet nëpërmjet medias elektronike të instaluar në Pikat e Shitjes së Autorizuara dhe/ose media elektronike të tjera siç janë por pa u kufizuar vetëm me to, si kompjutera, tableta, telefona celulare etj., të lidhura me sistemin qendror të Shoqërisë, në të cilin rezultati i lojës varet nga shanset e gjeneruar nga serveri, bazuar në gjenerimin rastësor të numrave në versione të ndryshme, në përputhje me rregullat e lojës.
“Personi” – është një individ mbi moshën e lejuar sipas Marrëveshjes së Licencës së Lotarisë Kombëtare i cili mund të jetë i interesuar për pjesëmarrje në Lotarinë e Garave Virtuale.
“Lojtar” – është një Person që blen apo merr në zotërim një Biletë, të dhënat e së cilës janë konfirmuar nga Sistemi Kompjuterik i Shoqërisë nëpërmjet printimit apo shfaqjes elektronikisht të kësaj Bilete.
“Pikë Shitje” ose “Agjent i Autorizuar” – do të nënkuptojë një Pikë Shitje, që shfaqet si e tillë në listën e Pikave të Shitjes të publikuar nga Shoqëria në www.lotaria.al dhe është e pajisur me aparaturat teknike që bëjnë pjesë në Sistemin Kompjuterik dhe kanë kapacitet për transmetimin e menjëhershëm të të dhënave sipas specifikimeve të Shoqërisë.
“Biletë” – është një konfirmim, i cili është printuar apo shfaqur elektronikisht nga Sistemi Kompjuterik, të dhënat e së cilës janë konfirmuar nga Sistemi Kompjuterik dhe që përmban mes të tjerash, elementet e mëposhtëm të vijueshëm në formë qartësisht të lexueshme: (i) llojin e lojës virtuale dhe numrin/kombinimin e parashikimeve të zgjedhura; (ii) datën, orën, numrin e garës(ave) për të cilën është lëshuar; (iii) barkodin; (iv) numrin e Biletës; (v) Vlerën. Në rast se luhet nëpërmjet internetit apo telefonit celular, Bileta do të shfaqet online elektronikisht. Bileta do të ruhet në Sistemin Kompjuterik.
“Media Elektronike” – janë mjetet elektronike të përdorura për ruajtjen dhe shpërndarjen e informacionit ose të dhënave ku përfshihen dhe pa u kufizuar me to, edhe kompjuterat, tabletët telefonat celulare etj.
“Pjesëmarrja” dhe fjalë të tjera që rrjedhin prej saj lidhur me “Lotarinë e Garave Virtuale”, i referohen pjesëmarrjes në parashikimin e rezultatit të Lotarisë së Garave Virtuale, me marrjen në zotërim të një Bilete.
“Lojë Bonus”- ka kuptimin e lojës/lojërave shtesë që ofrojnë bonus/e të dhënë në vlerë monetare ose në vlerë jo- monetare, si shtesë e çmimeve normale, të gjithë lojëtarëve që rezultojnë fitues/a nga këto lojëra shtesë.
”Forcë Madhore“ – nënkupton çdo ngjarje ose pasojë që nuk mund të parashikohet ose kontrollohet në mënyrë të arsyeshme dhe që është shkaktuar pa fajin apo pakujdesinë e palës mos vepruese. Sikurse është përdorur këtu, Forcë Madhore nënkupton aktet e luftës, terrorizmit, veprimet e elementeve (p.sh. zjarri, përmbytja, stuhia, etj.), ndërprerja dhe kufizimi i energjisë elektrike, dëmi material, trazira civile, ose çdo shkaktar tjetër që qëndron përtej kontrollit të një pale të prekur dhe që, nëpërmjet ushtrimit të kujdesit të arsyeshëm, Pala në fjalë e ka të pamundur ta parandalojë ose parashikojë dhe ta shmangë nëpërmjet planifikimit paraprak.
a. Baza ligjore
a.1 Duke marrë pjesë në Lojën e Lotarisë së Garave Virtuale, Lojtarët pranojnë Kushtet e mëposhtme dhe zotohen t’u përmbahen atyre. Këto Kushte, dhe të dhënat, kushtet dhe shpjegimet që shfaqen në Bileta, përbëjnë marrëveshjen e plotë dhe të drejtat e detyrimet kontraktore të Shoqërisë ndaj Lojtarëve, në lidhje me çdo Lojë.
a.2 Shoqëria gëzon të drejtën të organizojë lojën “Lotaria e Garave Virtuale” në bazë të Ligjit për Lojërat e Fatit dhe Marrëveshjes se Liçencimit miratuar me ligjin nr.95/2013, datë 04.03.2013, të dhënë nga Republika e Shqipërisë, e cila vepron nëpërmjet Ministrisë së Financave, për kohëzgjatjen e kësaj liçence
b. Përshkrimi dhe kohëzgjatja e Lojës
b.1 Përshkrimi i Lojës
b.1.1 Loja e lotarive elektronike “ Lotaria e Garave Virtuale”, është një lojë e bazuar në ngjarje të garave të regjistruara ose virtuale, në të cilën Gjeneruesi rastësor i numrave (RNG) përdoret për përzgjedhjen e ngjarjeve ( këtu e më poshtë referuar “Loja e Garave”).
b.1.2 Loja e Garave zhvillohet në një mënyrë të tillë, që lojtarit i mundësohet të parashikojë rezultatin e ngjarjeve të garave të qenve, kuajve, njerëzve, motorëve, makinave etj. ( këtu e më poshtë referuar “Garues”) virtuale apo të regjistruara, duke ofruar parashikime standarde apo speciale.
b.1.3 Loja e Garave i ofron pjesëmarrësve të saj një ngjarje gare –Garuesish virtuale apo të regjistruar, në të cilën çdo raund përfshin minimum 6 dhe maksimumi 15 Garues. Çdo Garues është i shënuar me një numër të caktuar, duke variuar nga 1 në 15.
b.2 Kohëzgjatja e Lojës
b.2.1 Një raund i vetëm i një Loje të Garave zgjat mesatarisht 3 deri 5 minuta, duke konsistuar në lajmërimin e lojës, zhvillimin e saj dhe njoftimin e rezultateve.
b.2.2 Përzgjedhja e ngjarjeve të garave virtuale apo të regjistruara, statistikisht është e pavarur, rastësore dhe e paparashikuar, dhe e gjeneruar nga Gjeneruesi rastësor i numrave (RNG).
c. Kushtet për pjesëmarrje në Lojën e Garave
c.1 Vetëm Media e lejuar nga Shoqëria mund të përdoret për të marrë pjesë në Lojën e Garave.
c.2 Shoqëria mund të ndalojë përdorimin e Medias ekzistuese për pjesëmarrje në lojë ose mund të prezantojë të reja dhe të përdorë Media të reja teknike të llojeve të ndryshëm për të rregulluar pjesëmarrjen në lojë.
c.3 Pjesëmarrja në Lojën e Garave
c.3.1 Llojet e parashikimeve standarde
c.3.1.1.1 Parashikimi fitues standard
Në parashikimin fitues standard, një lojtar mund të parashikoj nëse një Garues i zgjedhur do të fitojë ose të kalojë vijën e finishit para Garuesve të tjerë.
c.3.2 Parashikimi pozicionues standard
c.3.2.1 Në parashikimin pozicionues standard, një lojtar mund të parashikojë pozicionimin e dy Garuesve të parë fitues. Një lojtar zgjedh dy Garues në mënyrë të tillë që Garuesi i parë i zgjedhur do të jetë i pozicionuar i pari që do të kalojë vijën e finishit dhe Garuesi i dytë i zgjedhur do të jetë i pozicionuar i dyti që do të kalojë vijën e finishit. Nëse goditet në shenjë pozicionimi i dy Garuesve të parë fitues, shumëzimi i koeficientit respektiv të zgjedhur me pagesën/depozitën e kryer, do të krijojnë çmimin e fituar.
c.3.3 Parashikimi pozicionues i shumëfishtë
c.3.3.1 Parashikimi pozicionues i shumëfishtë i mundëson lojtarit të parashikojë disa kombinime të ndryshme pozicionimi në një biletë të vetme. Çdo kombinim është objekt i një pagese/depozite të ndarë dhe pagesa/depozita minimale për një biletë do të rritet proporcionalisht me numrin e kombinimeve të pozicionimeve të luajtura.
c.3.4 Llojet e parashikimeve speciale
- 3.4.1 Parashikimi special fitues tek/çift
Në Parashikimin special fitues tek/çift, një lojtar mund të parashikojë nëse numri i Garuesit fitues do të jetë tek apo çift.
c.3.4.2 Parashikimi special fitues më i ulët/ më i lartë
Në Parashikimin special fitues më i ulët/ më i lartë, një lojtar mund të parashikojë nëse numri i Garuesit fitues do të jetë më i ulët apo më i lartë se limiti i caktuar. Limitet caktohen bazuar në numrin e Garuesve pjesëmarrës.
c.3.4.3 Parashikimi special i pikëve për dy të parët
Nëse janë gjashtë Garues, një lojtar në Parashikimin special të pikëve për dy të parët, mund të parashikojë nëse pikët e Garuesit të pozicionuar i pari dhe i Garuesit të pozicionuar i dyti në garë, do të jenë më të vogla apo më të mëdha se limiti i caktuar. Limitet caktohen bazuar në numrin e Garuesve pjesëmarrës
c.3.4.4 Parashikimi special i pikëve për tre të parët
Një lojtar në Parashikimin special të pikëve për tre të parët mund të parashikojë nëse pikët e Garuesit të pozicionuar i pari, Garuesit të pozicionuar i dyti dhe Garuesit të pozicionuar i treti në garë, do të jenë më të vogla apo më të mëdha se limiti i caktuar. Limitet caktohen bazuar në numrin e Garuesve pjesëmarrës.
c.3.4.5 Parashikimi special i pozicionimit midis dy të parëve
Në parashikimin special të pozicionimit midis dy të parëve, një lojtar mund të parashikojë nëse Garuesi i zgjedhur do të jetë njëri midis dy Garuesve që do të kalojnë të parët vijën e finishit.
c.3.4.6 Parashikimi special i pozicionimit midis tre të parëve
Në parashikimin special të pozicionimit midis tre të parëve, një lojtar mund të parashikojë nëse Garuesi i zgjedhur do të jetë njëri midis tre Garuesve që do të kalojnë të parët vijën e finishit.
c.3.4.7 Parashikimi special jo midis dy të parëve
Në parashikimin special jo midis dy të parëve, një lojtar mund të parashikojë cili Garues nuk do të jetë asnjëri prej dy Garuesve që do të kalojnë vijën e finishit të parët.
c.3.4.8 Parashikimi special jo midis tre të parëve
Në parashikimin special jo midis tre të parëve, një lojtar mund të parashikojë cili Garues nuk do të jetë asnjëri prej tre Garuesve që do të kalojnë vijën e finishit të parët.
c.3.4.9 Parashikim special jo fitues
Në Parashikimin special jo fitues, një lojtar mund të parashikojë cili Garues nuk do të fitojë.
c.3.4.10 Parashikime të tjera standarde ose speciale
Shoqëria rezervon të drejtën të ofrojë parashikime të tjera brenda mundësive që ofrojnë lojërat në fjalë. Lojtarët do të njoftohen në lidhje me këtë gjë.
c.3.5 Koha dhe kushtet për anulimin e pagesës
c.3.5.1 Një lojtar mund të heqë dorë nga depozitimi/ pagesa për pjesëmarrje në një lojë të Garave, jo më vonë se 5 sekonda përpara se të përfundojë numërimi mbrapsht dhe përpara lëshimit të Biletës.
c.3.5.2 Nëse një lojtar heq dorë nga depozitimi/pagesa e kryer për të marrë pjesë në një lojë të Garave, në përputhje me Rregullat e Lojës (anulimi i depozitimit/pagesës), ai/ajo përfiton kthimin e shumës së paguar/depozituar.
c.4 Pjesëmarrja në lojë kryhet në mënyrë anonime dhe/ose duke regjistruar Lojtarin në rast se loja luhet nëpërmjet internetit apo telefonit celular, në përputhje me parashikimet e Marrëveshjes së Licencimit të Lotarisë Kombëtare.
c.5 Mosha minimale për Pjesëmarrje është sipas përcaktimeve të Ligjit për Marrëveshjen e Licencimit të Lotarisë Kombëtare.
c.6 Pikat e shitjes
c.6.1 Shoqëria shet Biletat nëpërmjet Pikave të Shitjes të autorizuara dhe/ose online nëpërmjet kompjuterëve, tablateve ose telefonave celulare etj.
c.7 Transmetimi i të dhënave të çdo Lojë të Garave dhe përcjellja e vlerave të luajtura, të paguara nga Lojtari për Shoqërinë, janë ekskluzivisht të kryera nga Pikat e Shitjes dhe/ose nëpërmjet internetit apo telefonit celular.
c.8 Pjesëmarrja në Garën/at respektive rregullohet nga Pikat e Shitjes, nëpërmjet internetit apo telefonit celular. As Pika e Shitjes dhe as Shoqëria nuk do jenë përgjegjës apo të konsiderohen të kenë kryer shkelje sipas kontratës, ndaj Lojtarit, për sa u përket parashikimeve të lojës (rave) të Garave si parashikime fitues apo potencialisht fitues, edhe atëherë kur Lojtari ka plotësuar parashikimin(et) apo kombinimet e parashikimeve nëpërmjet Pikës së Shitjes apo nëpërmjet internetit apo telefonit celular.
c.9 Të dhënat e pjesëmarrjes
c.9.1 Të dhënat duhet të transmetohen nga Pikat e Shitjes apo nga mediat e tjera për tek Shoqëria duke përdorur Sistemin Kompjuterik të Shoqërisë.
c.9.2 Të dhënat duhet t’i transmetohen Shoqërisë përpara Kohës së Mbylljes së Lojës për atë lojë të Garave. Të dhënat e marra nga Shoqëria pas Kohës së Mbylljes së Lojës respektive, do të konsiderohen të pavlefshme.
c.9.3 Të dhënat që nuk janë marrë elektronikisht nga Shoqëria ( pra për këto të dhëna nuk është lidhur asnjë kontratë e lojës pasi nuk rezultojnë të marra nga Shoqëria), nuk do të marrin pjesë në lojë.
c.9.4 Si Pika e Shitjes ashtu edhe Shoqëria mund të refuzojnë pranimin e të dhënave për arsye materiale ( duke përfshirë por mos u kufizuar vetëm me to: influence e dallueshme e alkoolit apo substancave të tjera të jashtëligjshme, ose substancave të tjera qe ndikojnë në vendimmarrje etj.) në çdo kohë.
c.10 Parashikimi dhe Regjistrimi
c.10.1 Pagesa e vlerës së luajtur quhet e konfirmuar për Lojtarin nga ana e Pikës së Shitjes ose nga Sistemi Kompjuterik, me lëshimin e Biletës.
c.10.2 Lëshimi i saktë dhe dorëzimi i një apo disa Biletave, është një parakusht për Pjesëmarrjen dhe proçesimin e mëtejshëm të të dhënave.
c.10.3 Bileta e lëshuar Lojtarit shërben si prova e vetme e Pjesëmarrjes në lojë dhe është një parakusht për çdo të drejtë potenciale çmimi fitues.
c.11 Kualifikimi për Pjesëmarrje dhe Kontrata e Lojës
c.11.1 Në çdo rast, vlera e caktuar duhet të paguhet për çdo lojë dhe Bileta duhet të printohet dhe të dorëzohet apo shfaqet elektronikisht, në mënyrë që të lidhet kontrata e lojës.
c.11.2 Çdo Person që dorëzon një ose disa kombinime parashikimesh në përputhje me këto Rregulla, paguan vlerën për lojë të Garave , zotëron të dhënat e transmetuara tek Shoqëria nga Pikat e Shitjes apo nëpërmjet të dhënave respektive të transferuara nga media e parashikuar, dhe merr apo i shfaqet elektronikisht një Biletë e cila konfirmon këto të dhëna, kualifikohet të marrë pjesë në lojën(rat) e Garave.
c.11.3 Kontrata e lojës midis Lojtarit dhe Shoqërisë është e vlefshme në momentin që lidhet, nëse të dhënat e lojës së Garave të transferuara nëpërmjet Sistemit Kompjuterik janë magazinuar saktë dhe janë të analizueshme dhe janë konfirmuar nga printimi apo shfaqja elektronikisht i Biletës/ave dhe dorëzimi i tyre tek Blerësi, në rast printimi. Në çdo rast, vlera e paracaktuar duhet të paguhet për çdo lojë të Garave. Nëse një nga këto kërkesa nuk plotësohet, atëherë kontrata e lojës nuk do të lidhet.
c.12 Përgjegjësia
c.12.1 Shoqëria do të jetë përgjegjëse për çdo dëm që i shkaktohet Lojtarit për faj të saj pas lidhjes së kontratës së lojës.
c.12.2 Shoqëria nuk merr përsipër asnjë detyrim (prandaj nuk mund të jetë përgjegjëse) lidhur me dëmet që shkaktohen nga veprimet kriminale të palëve të treta, ose në rast të një ngjarje të cilësuar si Forcë Madhore, ose që rezulton nga rrethana të tjera për të cilat Shoqëria nuk është përgjegjëse.
c.12.3 Pikat e shitjes do të jenë përgjegjëse për veprime të tyre të shkaktuara me dashje dhe me faj të rëndë.
c.12.4 Përzgjedhja e modaliteteve të Pjesëmarrjes në ngjarjen përkatëse i mbetet Lojtarit. Pika e Shitjes nuk mund të jetë përgjegjëse për Pjesëmarrjen e paqëllimshme të Lojtarit në Lojë.
c.12.5 Lojtari merr përsipër të gjitha humbjet në lidhje me saktësinë e Biletës sa i përket përmbajtjes dhe printimit të kodit. Lojtari është i detyruar të mos pranojë një Biletë nëse i mungon kodi ose ndonjë element tjetër përbërës i përmendur këtu (veçanërisht g.1).
c.13 Ankesat e ngritura pas kohës së mbylljes së lojës, për Biletat e blera, nuk do të merren në konsideratë.
c.14 Bileta është e vetmja provë për marrjen pjesë në një lojë të Garave. Bileta që ka marrë pjesë në lojën e Garave përkatëse, regjistrohet në regjistrin korrespondues kompjuterik dhe ruhet në mënyrë elektronike në sistemin qendror.
c.15 Një Lojtar në Lojën e Garave ka për detyrë të kontrollojë Biletën menjëherë pas blerjes së saj. Ankesa të mëvonshme nuk do të merren në konsideratë. Shoqëria nuk do të jetë përgjegjëse për forcat madhore apo vjedhje, të cilat rezultojnë në humbjen apo shkatërrimin e Biletës. Çmimet fituese i paguhen vetëm Mbajtësit të Biletës origjinale apo atij te regjistruar si i tillë në Sistemin Kompjuterik.
ç. Vendi i organizimit të Lojës dhe territori i shitjes së Biletave
ç.1 Shoqëria shet bileta dhe në këtë mënyrë mundëson pjesëmarrjen në lojë nëpërmjet një rrjeti Pikash Shitjesh të autorizuara në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe/ose nëpërmjet internetit apo rrjetit të telefonave celularë të lidhur me Sistemin Kompjuterik të Shoqërisë. Çdo pjesëmarrje në lojërat e Garave do të realizohet nëpërmjet Sistemit Kompjuterik qendror të Shoqërisë.
d. Çmimi individual për një parashikim të vetëm dhe/ose parashikime me kombinime të shumtë të mundshëm të një loje të Garave
d.1 Vlera minimale për një Biletë për çdo parashikim në një lojë të Garave, është 50 (pesëdhjetë) Lekë dhe vlera maksimale për një Biletë për çdo parashikim të një loje të Garave, është 7.000 (shtatëmijë) Lekë.
d.2 Vlera minimale dhe maksimale për një Biletë për çdo parashikim lojë të Garave siç specifikohet në pikën d.1 më sipër, janë objekt ndryshimi nga ana e Shoqërisë, e cila do të njoftojë Lojtarët në një kohë të përshtatshme, përpara se këto ndryshime të hynë në fuqi.
e. Koeficientet
e.1 Për të fituar, parashikimi/et e zgjedhur nga Lojtari duhet të përputhen me rezultatet e lojës së Garave në përputhje me parashikimin/et respektive. Koeficientet për çdo lloj parashikimi në lojë përcaktohen automatikisht nga sistemi dhe i prezantohen lojtarit përpara çdo loje.
e.2 Të gjitha vlerat janë bruto
e.3 Piramida e çmimeve bruto për lojën e Garave është llogaritur të plotësojë kushtin e % (përqindjes ) së pagesës minimale për fituesit në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi .
f. Kufizimi i çmimeve në fondin e çmimeve për lojën e Garave
f.1 Nëse shuma totale e të gjitha çmimeve në një lojë të Garave tejkalon kufirin maksimal të lejuar të vlerës së çmimit për atë loje të garave, të gjitha këto çmime do të llogariten proporcionalisht, në mënyrë që shuma totale e të gjithë këtyre çmimeve duhet të barazohet me kufirin maksimal të lejuar të vlerës së çmimit për atë lojë garash.
f.2 Shoqëria duhet të përcaktojë kufirin e lejuar të çmimeve për çdo lojë të Garave dhe këto shuma do të përdoren për të llogaritur proporcionalisht shumen e çmimit të paguar për çdo lojë garash siç përshkruhet në pikën f.1. Shuma maksimale e çmimit që është në dispozicion të shpërndahet proporcionalisht për të gjitha çmimet për lojë të Garave është 5.000.000 (pesë milion) Lekë.
g. Përmbajtja dhe informacioni i Biletës
g.1 Bileta e lojës së Garave printohet në një letër termike dhe përmban:
- Emrin e Shoqërisë
- ID e vendit të Pikës së Shitjes
- Numrin NIPT, adresën e website dhe ndoshta Kodin QR
- Numrin serial të Biletës ( numri i Biletës)
- Logon/emrin e lojës
- Datën dhe orën e Biletës
- Parashikimet e luajtura, dhe të gjithë informacionin e nevojshëm për lojën, si raundi, numri, data dhe ora e lojës së Garave, përmbledhja e pagesës për blerjen totale, përqindja e koeficientit sipas llojit të Lojës dhe çmimet potenciale që fitohen
- Tekst: Shumat e mundshme minimale dhe maksimale të çmimeve janë llogaritur në përputhje me Rregullat e Lojës.
- Tekst: Shoqëria deklaron se respekton Rregullat e Lojës së ofruar
- Tekst: Kjo biletë shërben si vërtetim për çmimin e fituar. Ju mund të konstatoni nëse bileta juaj është fituese, në Pikat e Shitjes apo në Zyrat Qendrore të Shoqërisë
- Barkodi
- Tekst: Çmimet fituese janë bruto. Çdo Tatim (nëse aplikohet) mbahet ne përputhje me legjislacionin fiskal ne fuqi.
- Tekst: Mosha minimale për pjesëmarrje në këtë Lojë është sipas parashikimeve të Ligjit për Marëveshjen e Licensimit të Lotarisë Kombëtare
- Tekst: Me pjesëmarrjen në lojë ju pranoni Rregullat e Lojës, të cilat mund t’i gjeni të publikuara ne faqen zyrtare lotaria.al apo në Pikat e Shitjes të Lotaria Kombëtare sh.p.k.
- Miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Lojërave të Fatit;
- Vlera e Biletës
g.2 Bileta mund të përmbajë gjithashtu edhe informacione të tjera.
g.3 Bileta e cila nuk përmban informacionet thelbësore sipas pikës g.1, është e pavlefshme.
gj. Lojërat Bonus dhe Jackpot
gj.1 Shoqëria mund të ofrojë Lojë/ra Bonus në lidhje me numrin e Biletës (ose një pjesë të saj) e cili jep çmime shtesë përpos çmimeve normale. Shoqëria rezervon të drejtën të caktojë shumat e këtyre çmimeve shtesë dhe të informojë Lojtarët për këto lojëra në një kohë të përshtatshme.
gj.2 Pjesëmarrja në Lojën/rat Bonus është e mundur vetëm nëse Lojtari merr pjesë në lojën e Garave. Prova e vetme për pjesëmarrje në një lojë të Garave është një Biletë e vlefshme.
gj.3 Jackpote janë fitimet të cilat arrihen me zgjedhje të rastësishme të numrit serial të plotë të Biletës. Fitues i Jackpotit/eve do të jetë numri serial i Biletës që përzgjidhet nga sistemi kompjuterik i lojës. Një Jackpot akumulohet si pjesë nga pagesa e përgjithshme e vlerave te luajtura për lojërat e Garave. Shumat që shpërndahen për Jackpotet, përcaktohen me vendimin e vetëm të Shoqërisë.
gj.4 Në çdo moment dhe me vendimin e vetëm të saj, Shoqëria ka të drejtën të pezullojë/ndalojë përkohësisht ndonjë apo të gjithë Lojërat Standarde, Speciale dhe/ose lojërat Bonus. Në këtë rast, Shoqëria do të përcaktojë orën e raundit të fundit, kohëzgjatjen e pezullimit dhe kohën e fillimit te Lojës Bonus apo lojërave të tjera. Për këtë, Shoqëria do të njoftojë Lojtarët në një kohë të përshtatshme.
h. Metoda, procedura dhe kontrolli i lojërave të Garave dhe llogaritja e çmimeve
h.1 Ofrimi i lojërave të Garave kryhet me anë të një gjeneruesi rastësor të numrave elektronik apo mekanik, sipas të cilit rezultatet e lojës/rave të Garave transferohen në mënyrë elektronike.
h.2 Gjeneruesi elektronik është një Gjenerues Rastësor i Numrave i certifikuar.
h.3 Çmimet përcaktohen duke u llogaritur nga sistemi qendror online përmes programit kompjuterik. Fitimi i lojtarit nuk u nënshtrohet marzheve të fitimit të paracaktuara nga Shoqëria,
i.Publikimi i çmimeve dhe rezultateve të lojës
i.1 Rezultatet e lojës, transmetohen menjëherë Lojtarit nëpërmjet medias elektronike publikohen në faqen zyrtare të Shoqërisë dhe/ose Pikave të Shitjes.
j. Mënyra dhe afati i pagesës së çmimeve
j.1 Në përputhje me këto Rregulla, vetëm të dhënat që janë marrë nga Shoqëria për një Lojë të Garave specifike para Kohës së Mbylljes së Lojës dhe që i janë konfirmuar Lojtarëve nëpërmjet Biletave, dhe të cilat nuk janë anuluar, do të marrin pjesë në përcaktimin e parashikimit, përcaktimin e numrit të fituesve dhe fitimet përkatëse të asaj loje garash.
j.2 E drejta e fitimit të çmimit mund të rezultojë vetëm nga miratimi i vlefshmërisë së Biletës. Të dhënat në Biletë duhet të korrespondojnë me të dhënat e marra nga Shoqëria dhe kodi mbi Biletë duhet të jetë qartësisht i lexueshëm.
j.3 Çmimet do të paguhen pasi të ketë përfunduar përcaktimi i fituesve dhe verifikimi i pagesave të çmimeve të jetë lëshuar nga Shoqëria në përputhje me këto Rregulla.
j.4 Çdo kërkesë për çmim do të jetë subjekt i paraqitjes dhe dorëzimit të Biletës apo biletës së regjistruar të shfaqur elektronikisht. Pagesa e çdo çmimi do të shënohet në përputhje me rregullat në Sistemin Kompjuterik.
j.5 Çdo çmim fitues është në vlerë bruto për qëllime fiskale. Prandaj, çdo ndalesë që duhet kryer për llogari të çdo takse të aplikuar, do të mbahet nga vlerat e fituara në mënyrë që t’i transferohet autoriteteve tatimore në përputhje me të gjitha ligjet në fuqi.
j.6 Shoqëria në përputhje me ligjin Nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, do të marrë të gjitha masat e nevojshme parandaluese.
j.7 Çmimet neto deri në 100,000 (njëqindmijë) Lekë për Biletat fituese të kualifikuara në përputhje me rregullat, do t’i paguhen Mbajtësit të Biletës me para në dorë në çdo Pikë Shitje ku luhet Loja e Garave. Në rast se loja luhet online nëpërmjet internetit, apo telefonave celulare, çmimet transferohen në llogarinë e Lojtarit të regjistruar në sistemin Kompjuterik.
j.8 Pavarësisht pikës të mësipërme j.7, Mbajtësit e Biletave fituese të kualifikuar në përputhje me rregullat, mund të zgjedhin të kërkojnë çmimet e tyre, pavarësisht shumave të fituara, në zyrat qendrore të Kompanisë. Çmimet e kategorisë së lartë që kalojnë shumën e 100,000 (njëqindmijë) Lekëve neto për çdo Biletë fituese të kualifikuar në përputhje me rregullat, do të trajtohen në mënyrë ekskluzive nga zyrat qendrore të Shoqërisë dhe do t’i paguhen Mbajtësit të Biletës pasi Shoqëria ka marrë formularin e kërkesës për çmimin e fituar. Këto çmime të kategorisë së lartë do të transferohen në mënyrë ekskluzive në një llogari bankare të specifikuar në formularin e kërkesës për çmimin e fituar (ose çdo metodë tjetër pagese të rënë dakord mes Kompanisë dhe fituesit të çmimit të kategorisë së lartë), që duhet të plotësohet tërësisht dhe të dorëzohet nga Mbajtësi i Biletës.
j.9 Në rast se çmimi kërkohet në zyrat qendrore të Shoqërisë, formulari i kërkesës për çmimin e fituar së bashku me Biletën origjinale bashkëlidhur, do të qëndrojë tek Shoqëria. Çdo tarifë transferte bankare ose postare, si dhe të gjitha tarifat e tjera ligjore të përcaktuara apo kostot që shkaktohen në këtë kontekst, nëse do të ketë, do të paguhen nga marrësi.
j.10 Të gjitha pagesat për fituesit do të kenë efekt reduktimi detyrimesh për Shoqërinë.
j.11 Mbajtësit e Biletës mund të pretendojnë çmimin(et) e tyre deri në 90 (nëntëdhjetë) ditë të vijueshme nga dita pas datës përkatëse të lojës së Garave. Pas përfundimit të këtij afati, çdo e drejtë e mundshme për tërheqjen e çmimit do të skadojë.
j.12 Nëse fitohen disa çmime për një kontratë loje, shuma e grumbulluar e çmimeve do të merret si bazë për metodën e pagesës.
j.13 Mbajtësi i një Biletë nuk do të ketë të drejtën e marrjes së çmimit(eve) nëse (a) Mbajtësi nuk ka mbushur ende moshën e lejuar me ligj, ose nuk mund të vërtetojë se ai ka mbushur këtë moshë, (b) Bileta është falsifikuar me ndonjë mënyrë, apo është korruptuar, ose (c) kodi në Biletë është i palexueshëm. Nëse një Mbajtës i një Bilete beson se Pika e Shitjes i ka refuzuar atij/asaj Çmimin për shkak të shkeljes së këtyre Kushteve, Mbajtësi i Biletës duhet të kërkojë çmimin tek Zyrat Qendrore duke plotësuar formularin e rëndësishëm të kërkesës për çmimin e fituar dhe duke e dorëzuar atë tek Shoqëria së bashku me Biletën.
j.14 Nuk ekziston asnjë detyrim për Pikat e Shitjes ose për Shoqërinë që të kontrollojë të drejtën e Mbajtësit të Biletës.
k. Publikimi i Rregullave të lojës
k.1 Këto Rregulla mund të gjenden në çdo Pikë Shitje sipas kërkesës , si edhe janë të publikuara në faqen zyrtare të Shoqërisë.
l. Tërheqja
l.1 Tërheqja nga kontrata e lojës përjashtohet
m. Forcat madhore dhe situata të paparashikuara
m.1 Nëse loja e filluar nuk mund të vazhdojë për shkak të problemve teknike ( ndërprerje e energjisë elektrike, ndërprerja e transmetimit të lojës për defekte teknike ose Forcë Madhore etj.,) e njëjta lojë do të vazhdojë kur kushtet të lejojnë që loja të vazhdojë. Shoqëria duhet të njoftojë Lojtarët në kohë të përshtatshme për mënyrën e hedhjes dhe kohen e lojës.
m.2 Në rastet kur ka arsye të justifikuara, forca madhore pse mosfunksionim teknik, ose çdo arsye tjetër e cila ndodh jashtë vullnetit dhe dëshirës së shoqërisë, kjo e fundit rezervon të drejtën të anulojë shortin e skeduluar, të anulojë Biletat e blera dhe t’u kthejë mbrapsht shumat e luajtura lojtarëve.
n. Dispozita të fundit
n.1 Shoqëria ka detyrimin të ruajë dhe të mos fshijë median elektronike për një periudhë në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.
n.2 Përjashtimisht, në rast se do ketë ndonjë proces gjyqësor në lidhje me të drejtat e marrjes pjesë në lojën e Garave, shoqëria ka detyrimin ta mbajë dhe mos të fshijë median elektronike deri në përfundim të procesit gjyqësor.