Galaxy – Rregullat e lojës

Rregullat e përgjithshme të paraqitura më poshtë (“Rregullat”) janë të vlefshme për të gjitha kontratat e Lojës të lidhura mes Shoqërisë dhe një Lojtari, nga data e miratimit të tyre nga Njësia e Mbikëqyrjes se Lojërave te Fatit.

Këto Rregulla, vlejnë si për pjesëmarrjen nëpërmjet Pikave të Autorizuara të Shitjes me pajisje online, ashtu edhe për pjesëmarrjen me anë të të gjitha llojeve të mediave të tjera (p.sh. internet, etj.).

Përkufizime:

Përjashto rastet kur konteksti e shpreh qartësisht ndryshe, fjalët e mëposhtme do të kenë kuptimin e mëposhtëm kur përdoren në këto Rregulla:

“Shoqëria” – operatori i liçencuar i Lotarisë Kombëtare, Lotaria Kombëtare sh.p.k., me seli qendrore në Tiranë, Shqipëri dhe adresë të aktivitetit në Rr. “Dritan Hoxha”, Nr. 39-1, regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit me NUIS L22119005R;

“Sistemi Kompjuterik” – Pajisjet teknike të specifikuara nga Shoqëria për pjesëmarrjen në Lojë;

“Short” – Proçesi që kulmon në përzgjedhjen e një numri apo simboli fitues për lojën “GALAXY” në mënyrë rastësore.

“Ligji Shqiptar për Lojërat e Fatit” – Ligji Nr. 10033, datë 11 Dhjetor 2008, i ndryshuar herë pas here dhe/ose Ligji i Lojërave të Fatit që shfuqizon Ligjin ekzistues Për Lojërat e Fatit, si dhe ndryshimet që mund t’i bëhen herë pas here;

“Koha e Mbylljes së Lojës” – në lidhje me një Short, nënkupton kohën që është përcaktuar dhe publikuar nga Shoqëria si koha pas së cilës nuk mund të kryhen më pjesëmarrje për atë Short.

“Mbajtës” – është personi që ka marrë zotërimin fizik të një Biletë.

“Media” – janë mjetet e përdorura nga shoqëria për ruajtjen dhe shpërndarjen e informacionit dhe të dhënave.

“GALAXY”  – është një lojë e organizuar nga Shoqëria, rezultatet e të cilës përcaktohen nëpërmjet një Shorti.

“Personi” – është një individ  mbi moshën e lejuar sipas Ligjit për Lojërat e Fatit i cili mund të jetë i interesuar për pjesëmarrje në Lojë.

“Lojtar” – është një Person që blen apo merr në zotërim një Biletë, të dhënat e së cilës janë konfirmuar nga Sistemi Kompjuterik i Shoqërisë nëpërmjet printimit të kësaj Bilete.

“Pikë Shitje” ose “Agjent i Autorizuar” –  do të nënkuptojë një Pikë Shitje, që shfaqet si e tillë në listën e Pikave të Shitjes të publikuar nga Shoqëria në www.lotaria.al dhe është e pajisur me aparaturat teknike që bëjnë pjesë në Sistemin Kompjuterik dhe kanë kapacitet për transmetimin e menjëhershëm të, të dhënave sipas specifikimeve të Shoqërisë.

“Biletë” – është një biletë, e cila është printuar nga Sistemi Kompjuterik, të dhënat e së cilës janë konfirmuar nga Sistemi Kompjuterik dhe që përmban mes të tjerash, elementet e mëposhtëm të vijueshëm në formë qartësisht të lexueshme: (i) numrin/kombinimin e numrave dhe simbolit/eve të zgjedhur; (ii) datën, orën, numrin e Shortit(eve) për të cilin është lëshuar; (iii) barkodin; (iv) numrin e Biletës; (v) Vlerën e biletës.

“Pjesëmarrja” dhe fjalë të tjera që rrjedhin prej saj lidhur me “GALAXY”, i referohen marrjes në zotërim të një Bilete.

“Terminal” – pjesë e Sistemit Kompjuterik; pajisja teknike e vendosur në një Pikë Shitje që u mundëson Personave të marrin pjesë në Lojë dhe që printon Biletat për Lojtarët;

”Forcë Madhore“ – nënkupton çdo ngjarje ose pasojë që nuk mund të parashikohet ose kontrollohet në mënyrë të arsyeshme dhe që është shkaktuar pa fajin apo pakujdesinë e palës mos vepruese. Sikurse është përdorur këtu, Forcë Madhore nënkupton aktet e luftës, terrorizmit, veprimet e elementeve (p.sh. zjarri, përmbytja, stuhia, etj.), ndërprerja dhe kufizimi i energjisë elektrike, dëmi material, trazira civile, ose çdo shkaktar tjetër që qëndron përtej kontrollit të një pale të prekur dhe që, nëpërmjet ushtrimit të kujdesit të arsyeshëm, Pala në fjalë e ka të pamundur ta parandalojë ose parashikojë dhe ta shmangë nëpërmjet planifikimit paraprak.

a. Baza Ligjore

a.1 Duke marrë pjesë në Lojë, Lojtarët pranojnë Kushtet e mëposhtme dhe zotohen t’u përmbahen atyre. Këto Kushte, dhe të dhënat, kushtet dhe shpjegimet që shfaqen në Bileta, përbëjnë marrëveshjen e plotë dhe të drejtat e detyrimet kontraktore të Shoqërisë ndaj Lojtarëve, në lidhje me Lojën “GALAXY”.

a.2 Shoqëria gëzon të drejtën të organizojë “GALAXY” në bazë të Ligjit për Lojërat e Fatit dhe Marrëveshjes se Liçencimit miratuar me ligjin nr.95/2013, datë 04.03.2013, të dhënë nga Republika e Shqipërisë, e cila vepron nëpërmjet Ministrisë së Financave, për kohëzgjatjen e kësaj liçence.

b. Përshkrimi dhe kohëzgjatja e Lojës

b.1 Në lojën “GALAXY” ka një total prej 18 (tetëmbëdhjetë) fushash me 12 (dymbëdhjetë) fusha secila të shënjuara me numra nga 1 ( një) deri në 12 (dymbëdhjetë) dhe 6 (gjashtë) fusha të shënjuara me simbole si vijojnë: një fushë me simbolin e “yllit”, një fushë me simbolin e “diellit”, një fushë me simbolin e “hënës”, një fushë me simbolin e “ tërfilit”, një fushë me simbolin e “patkoit” dhe një fushë me simbolin e “ziles”.

b.2 Numrat nga 1 deri në 12 dhe të gjithë simbolet, u takojnë 9 (nëntë) Seksioneve të ndryshëm përkatësisht: Sektorët I, II, III dhe A,B,C,D,E,F.

Sektorët I,II dhe III përmbajnë 6 (gjashtë) fusha në secilin Sektor:
Numrat 1,7,8 dhe 11 dhe simbolet “diell” dhe “tërfil” i takojnë Seksionit I,
Numrat 2,4,6 dhe 9 dhe simbolet “hënë” dhe “patkua” i takojnë Seksionit II dhe
Numrat 3,5,10 dhe 12 dhe simbolet “yll” dhe “zile” i takojnë Seksionit III.

Sektorët A, B, C, D, E dhe F janë 3 (tre) fusha në secilin Sektor:
Simboli “ diell” dhe numrat nga 1 dhe 11 i përkasin Sektorit A,
Simboli “tërfil” dhe numrat 8 dhe 7 i përkasin Sektorit B,
Simboli “hënë” dhe numrat 4 dhe 2 i përkasin Sektorit C,
Simboli “patkua” dhe numrat 9 dhe 6 i përkasin Sektorit D,
Simboli “yll” dhe numrat 12 dhe 10 i përkasin Sektorit E,
Simboli “zile” dhe numrat 3 dhe 5 i përkasin Sektorit F.

Përveç kësaj, fushat me numrat nga 1 deri në 6 i përkasin grupimit të numrave të vegjël, ndërsa fushat me numrat nga 7 deri në 12 i përkasin grupimit të numrave të mëdhenj.
b.3 Fushat me numra dhe simbole janë në ngjyrë të kuqe, të zezë, të florinjtë dhe jeshile. Gjashtë fushat me numrat 2,5,6,7,10 dhe 11 janë të kuqe; fushat me numrat 1,3,4,8,9 dhe 12 janë të zeza, tre fushat që përmbajnë simbolet e yllit, diellit dhe të hënës janë të florinjtë dhe tre fushat që përmbajnë simbolet e tërfilit, patkoit dhe ziles janë jeshile.

b.4  Në lojën “GALAXY”, çmimi fitohet kur fusha ose simboli i luajtur në biletën e printuar përputhet me fushën e numrit ose te simbolit të përzgjedhur në short. Shorti hidhet nga gjeneruesi rastësor i numrave elektronik me një top të animuar që trazohet dhe qëndron në një nga fushat me numra ose simbole. Një numër ose simbol konsiderohet i hedhur në short, atëherë kur topi ka ndaluar përfundimisht.

b.5 GALAXY luhet në seri. Çdo seri përbëhet nga shorte të ndryshëm. Blerja e Biletës pranohet në  periudha kohore të përcaktuara në mënyrë preçize ( intervale) midis çdo shorti.

b.6 Shoqëria përcakton numrin e shorteve brenda një serie, intervalin kohor midis shorteve dhe kohën e hapjes dhe të mbylljes për blerjen e Biletave.

b.7 Në çdo moment dhe me vendimin e vetëm të saj, Shoqëria ka të drejtën të pezullojë/ndalojë përkohësisht luajtjen e lojës GALAXY në rastet kur, por pa u kufizuar vetëm me to: ka probleme teknike/incidente të sistemit, ndryshime në të ardhurat e produktit të lidhura me; pikun e parashikimeve, ndryshimet sezonale, rrjetin ( nëse rrjeti i planifikuar nuk është sipas planit duke ndikuar direkt të ardhurat e Shoqërisë), rritja e detyrimeve fiskale, probleme me pikat e shitjes, ose ndryshime ligjore që prekin grupin e targetuar të marrjes pjesë në lojë, të cilat reflektojnë në të ardhurat, kostot operacionale apo fokusime të tjera të Shoqërisë për produktin; forcë madhore; pushime zyrtare; situata të jashtëzakonshme. Në këtë rast, Shoqëria do të përcaktojë orën e shortit të fundit, kohëzgjatjen e pezullimit dhe kohën e fillimit të serisë tjetër. Për këtë, Shoqëria do të njoftojë Lojtarët në një kohë të përshtatshme.

b.8 Shoqëria rezervon të drejtën e ndryshimit të orareve të shorteve dhe intervalet kohore midis shorteve. Për këtë, Shoqëria do të njoftojë Lojtarët në një kohë të përshtatshme.

c. Kushtet për pjesëmarrje në Lojë

c.1 Vetëm Media-ve që i është dhënë leje nga Shoqëria mund të përdoren për pjesëmarrjen në GALAXY.

c.2 Shoqëria mund t’i japë fund përdorimit të një Media ekzistuese për pjesëmarrjen në lojë ose të prezantojë të reja dhe të përdorë Media të re teknike të llojeve të ndryshme për të rregulluar pjesëmarrjen në lojë.

c.3 Pjesëmarrja në GALAXY

c.3.1 Pjesëmarrja në lojën “GALAXY” realizohet me blerjen e biletës nëpërmjet sistemin online në Pikën e Shitjes të Shoqërisë, duke kërkuar numrat dhe/ose Simbolin/et e parashikuar pranë terminalit tek Pika e Shitjes. Në një biletë mund të luhen deri në tre lojë “ GALAXY”

c.4 Pjesëmarrja në një ose disa Shorte në të ardhmen

c.4.1 Personat mund të marrin pjesë në një ose më shumë Shorte. Personi mund të blejë biletën dhe të marrë pjesë në një short GALAXY i cili është skeduluar në një orë të ardhshme ekzakte – “DITA E SHORTIT”,“ORËT E SHORTIT” dhe “ MINUTAT E SHORTIT”. Nëse Personi nuk specifikon datën e Shortit dhe orën e Shortit që ai/ajo dëshiron të marrë pjesë, kjo do të konsiderohet si  lidhje e kontratës për të marrë pjesë vetëm në një Short dhe kontrata e lojës do të lidhet vetëm për shortin që hidhet direkt pas dorëzimit të kombinimit të numrave/numrit.

c.4.2 Personi mund të zgjedhë të marrë pjesë ne disa shorte të ardhshëm- “REGJISTRIMI” . Kur një Person dëshiron të marrë pjesë në një short të veçantë i cili është skeduluar në një orë të caktuar dhe në të njëjtën kohë kërkon të regjistrohet ne disa shorte të ardhshëm duke zgjedhur opsionin “REGJISTRIMI”, Personi duhet të specifikojë numrin e shorteve dhe shkëputjen kohore midis Shortit/eve në vazhdim. Personi mund të specifikojë orën e shortit të parë në REGJISTRIM deri në 7 ditë dhe për shortet e tjerë në REGJISTRIM duke zgjedhur një shkëputje kohore prej 5 minutash, 10 minutash, 15 minutash, 20 minutash, 30 minutash, një orë, ose një ditë midis shorteve. Opsioni REGJISTRIM të lejon të luash në 2,3,4,5,6,7,8,9 ose 10 shorte. Sistemi Kompjuterik do të printojë Biletat respektive që ju korrespondojnë pagesave të kryera.

c.4.3 Zgjedhja e opsionit “ SHUMËFISHI”, i lejon Personit të shumëfishojë vlerën e tij/saj të luajtur me 2,3,4,5,6,7,8,9,10,20,25,30,50 dhe/ose 100. Personi mund të rrisë vlerën e luajtur përmes shumëfishimit, por me kusht që çmimi i Biletës të mos kalojë çmimin maksimal të lejuar për Biletë për një lojë GALAXY.

c.5 Pjesëmarrja në lojë kryhet në mënyrë anonime.

c.6 Mosha minimale për Pjesëmarrje është sipas përcaktimeve të Ligjit për Lojërat e Fatit.

c.7 Pikat e shitjes
c.7.1 Shoqëria shet Biletat nëpërmjet Pikave të Shitjes të autorizuara.

c.8 Transmetimi i të dhënave të  lojës GALAXY dhe përcjellja e vlerave të luajtura, të paguara nga Lojtari për Shoqërinë, janë ekskluzivisht të kryera nga Pikat e Shitjes.

c.9 Pjesëmarrja në Shortin/et respektiv/e rregullohet nga Pikat e Shitjes. As Pika e Shitjes dhe as Shoqëria nuk do jenë përgjegjës apo të konsiderohen të kenë kryer shkelje sipas kontratës, ndaj Lojtarit, përsa u përket parashikimeve të numrit/ave dhe simboli/eve fitues si numra dhe simbol(e) fitues apo potencialisht fitues.

c.10 Të dhënat e pjesëmarrjes

c.10.1 Të dhënat duhet të transmetohen nga Pikat e Shitjes për tek Shoqëria duke përdorur Sistemin Kompjuterik.

c.10.2 Të dhënat duhet t’i transmetohen Shoqërisë përpara Kohës së Mbylljes së Lojës për atë Short. Të dhënat e marra nga Shoqëria pas Kohës së Mbylljes së Lojës respektive, do të pranohen të marrin pjesë në Shortin pasardhës.

c.10.3 Të dhënat që nuk janë marrë elektronikisht nga Shoqëria ( pra për këto të dhëna nuk është lidhur asnjë kontratë e lojës pasi nuk rezultojnë të marra nga Shoqëria), nuk do të marrin pjesë në lojë.

c.10.4 Si Pika e Shitjes ashtu edhe Shoqëria mund të refuzojnë pranimin e të dhënave për arsye materiale ( duke përfshirë por mos u kufizuar vetëm me to: influence e dallueshme e alkoolit apo substancave të tjera të jashtëligjshme, ose substancave të tjera qe ndikojnë në vendimmarrje etj.) në çdo kohë.

c.11 Vlera e luajtur dhe Regjistrimi
c.11.1 Bileta në vetvete është e pajisur me një bar-kod i cili përbëhet nga elemente thelbësorë të Biletës dhe garanton alokimin e saktë teknik të Biletës me të dhënat e luajtura.

c.11.2 Pagesa e vlerës së luajtur quhet e konfirmuar për Lojtarin nga ana e Pikës së Shitjes, me lëshimin e Biletës që ka në përmbajtjen e saj Barkodin.

c.11.3 Lëshimi i saktë dhe dorëzimi i një apo disa Biletave që kanë në përmbajtjen e tyre kodin, është një parakusht për Pjesëmarrjen dhe proçesimin e mëtejshëm të të dhënave.

c.11.4 Bileta e lëshuar Lojtarit shërben si prova e vetme e Pjesëmarrjes në lojë dhe është një parakusht për çdo të drejtë potenciale çmimi fitues.

c.12 Kualifikimi për Pjesëmarrje dhe Kontrata e Lojës
c.12.1 Në çdo rast, vlera e caktuar duhet të paguhet për çdo lojë dhe Bileta duhet të printohet dhe të dorëzohet, në mënyrë që të lidhet kontrata e lojës.

c.12.2 Çdo Person që dorëzon një ose disa kombinime numrash dhe/ose simbolesh  në përputhje me këto Rregulla, paguan vlerën për Lojë, zotëron të dhënat e transmetuara tek Shoqëria nga Pikat e Shitjes dhe nëpërmjet të dhënave respektive të transferuara nga media e parashikuar, dhe merr një Biletë e cila konfirmon këto të dhëna dhe kualifikohet të marrë pjesë në Short(e).

c.12.3 Kontrata e lojës midis Lojtarit dhe Shoqërisë  është e vlefshme në momentin që lidhet, nëse të dhënat e lojës GALAXY të transferuara nëpërmjet Sistemit Kompjuterik janë magazinuar saktë dhe janë të analizueshme dhe janë konfirmuar nga printimi i Biletës/ave dhe dorëzimi i tyre tek Blerësi. Në çdo rast, vlera e paracaktuar duhet të paguhet për lojën GALAXY. Nëse një nga këto kërkesa nuk plotësohet, atëherë kontrata e lojës nuk do të lidhet.

c.13 Përgjegjësia

c.13.1 Shoqëria do të jetë përgjegjëse për çdo dëm që i shkaktohet Lojtarit për faj të saj pas lidhjes së kontratës së lojës.

c.13.2 Shoqëria nuk merr përsipër asnjë detyrim (prandaj nuk mund të jetë përgjegjëse) lidhur me dëmet që shkaktohen nga veprimet kriminale të palëve të treta, ose në rast të një ngjarje të cilësuar si Forcë Madhore, ose që rezulton nga rrethana të tjera për të cilat Shoqëria nuk është përgjegjëse.

c.13.3 Pikat e shitjes do të jenë përgjegjëse për veprime të tyre të shkaktuara me dashje dhe me faj të rëndë.

c.13.4 Përzgjedhja e modaliteteve të Pjesëmarrjes në ngjarjen përkatëse i mbetet Lojtarit. Pika e Shitjes nuk mund të jetë përgjegjëse për Pjesëmarrjen e paqëllimshme të Lojtarit në Lojë.c.13.5 Lojtari merr përsipër të gjitha humbjet në lidhje me saktësinë e Biletës sa i përket përmbajtjes dhe printimit të kodit. Lojtari është i detyruar të mos pranojë një Biletë nëse i mungon kodi ose ndonjë element tjetër përbërës i përmendur këtu.

c.14 Ankesat e ngritura pas kohës së mbylljes së lojës, për Biletat e blera, nuk do të merren në konsideratë.

c.15 Bileta është e vetmja provë për marrjen pjesë në lojën GALAXY. Bileta që ka marrë pjesë në serinë përkatëse dhe në shortin respektive, regjistrohet në regjistrin korrespondues kompjuterik dhe ruhet në mënyrë elektronike në sistemin qendror.

c.16 Një Lojtar në GALAXY ka për detyrë të kontrollojë Biletën menjëherë pas blerjes së saj. Ankesa të mëvonshme nuk do të merren në konsideratë. Shoqëria nuk do të jetë përgjegjëse për forcat madhore apo vjedhje, të cilat rezultojnë në humbjen apo shkatërrimin e Biletës. Çmimet fituese i paguhen vetëm Mbajtësit të Biletës origjinale.

ç. Vendi i organizimit të Lojës dhe territori i shitjes së Biletave

ç.1 Shoqëria shet bileta dhe në këtë mënyrë mundëson pjesëmarrjen në lojë nëpërmjet një rrjeti Pikash Shitjesh të autorizuara në territorin e Republikës së Shqipërisë. Çdo pjesëmarrje në GALAXY do të realizohet nëpërmjet Sistemit Kompjuterik qendror të Shoqërisë.

d. Çmimi individual për një Lojë

d.1 Pagesa minimale për një Biletë të vetme të printuar të lojës për secilën nga lojërat në lojën “GALAXY” është 100 (njëqind) lekë  dhe pagesa maksimale për një Biletë të vetme të printuar të lojës për secilën nga lojërat në lojën “GALAXY” është si më poshtë :

–    Për një fushë ( numër/simbol) të luajtur – 2,500 Lekë
–    Për dy fusha (numra/simbole) të luajtura – 5,000 Lekë
–    Për tre fusha (numra/simbole) të luajtura – 7,500 Lekë
–    Për katër fusha (numra/simbole) të luajtura – 10,000 Lekë
–    Për gjashtë fusha (numra/simbole) të luajtura – 15,000 Lekë
–    Për Seksionin I,II ose III – 15,000 Lekë
–    Për Grupimin e numrave të vegjël ose të mëdhenj ( nga 1 në 6 ose nga 7 në 12) – 15,000 Lekë
–    Për numrat Tek ose çift – 15,000 Lekë
–    Për fushën e kuqe ose të zezë – 15,000 Lekë
–    Për fushën e florinjtë – 7,500  Lekë
–    Për fushën jeshile – 7,500 Lekë
–    Për sektorët A,B,C,D,E ose F – 7,500 Lekë

d.2 Vlera minimale dhe maksimale për një Biletë për çdo lojë GALAXY siç specifikohet në pikën d.1 më sipër, janë objekt ndryshimi nga ana e Shoqërisë, e cila do të njoftojë Lojtarët në një kohë të përshtatshme, përpara se këto ndryshime të hynë në fuqi.

e. Katergoritë e  çmimeve

e.1 Në lojën “ GALAXY” janë llojet e kategorive të çmimeve si më poshtë:

–    Një fushë (numër apo simbol) që përputhet
–    Një Seksion ( Seksioni I, Seksioni II ose Seksioni III ) që përputhet
–    Një fushë nga grupimi i numrave që përputhen (grupimi i numrave të vegjël ose grupimi i numrave të mëdhenj)
–    Ngjyra e fushës që përputhet ( përputhet me ngjyrën e kuqe, të zezë, të florinjtë ose jeshile)
–    Fusha e numrit tek ose çift që përputhet
–    Një fushë A, B, C, D, E ose F që përputhet

e.2 Fitimi i një çmimi në një kategori çmimesh përjashton mundësinë e të njëjtit kombinim numrash dhe/ose simbolesh të jetë fitues në një kategori më të ulët çmimesh në të njëjtin lloj loje GALAXY dhe Short.

e.3 Në lojën “GALAXY”, Lojtarët parashikojnë paraprakisht fitime të mundshme duke shumëzuar shumën e paguar me koeficientet e përcaktuar për fitimet e mundshme. Duke pjesëtuar numrin 12 me numrin e fushave te luajtura, koeficientet përcaktohen si më poshtë :

–    Një fushë (numër/simbol) koeficienti = 12
–    Dy fusha (numra/simbole) koeficienti = 6
–    Tre fusha (numra/simbole) koeficienti = 4
–    Katër fusha (numra/simbole) koeficienti = 3
–    Gjashtë fusha (numra/simbole) koeficienti = 2
–    Seksioni I,II ose III ( 4 numra në një seksion) koeficienti = 2
–    Grupimi i numrave të vegjël ose të mëdhenj ( nga 1 në 6 ose nga 7 në 12) koeficienti =2
–    Fusha e florinjtë (simbolet e diellit, hënës ose yllit) koeficienti= 4
–    Fusha jeshile ( simbolet e tërfilit, patkoit ose ziles) koeficienti= 4
–    Fusha e kuqe ose e zezë ( 2,5,6,7,10 dhe 11 ose 1,3,4,8,9 dhe 12) koeficienti= 2
–    Numrat tek ose çift ( 1,3,5,7,9 dhe 11 ose 2,4,6,8,10 dhe 12) koeficienti= 2
–    Sektori A, B, C, D, E ose F koeficienti= 4
e.4 Të gjitha vlerat janë bruto

e.5 Piramida e çmimeve bruto për fituesit e lojës GALAXY është përllogaritur në vlerë më të madhe se 50% e xhiros së realizuar nga shitja e biletave.

e.6 Shoqëria mund të ndryshojë kategoritë e çmimeve për të gjitha apo një pjesë të llojeve të lojës GALAXY. Në të gjitha rastet, Shoqëria ka për detyrë të lajmërojë Lojtarët në një kohë të përshtatshme, përpara se ndryshimet të hynë në fuqi.

f. Përmbajtja dhe informacioni i Biletës

f.1 Bileta e lojës GALAXY printohet në një letër termike dhe përmban:
–    Emrin e Shoqërisë
–    Adresën e Shoqërise
–    Numrin NIPT, adresën e website dhe Kodin QR
–    Numrin serial të Biletës ( numri i Biletës)
–    Logon e lojës
–    Datën, ditën dhe orën e kryerjes së pagesës
–    Numrat e luajtura, llojin e lojës, dhe të gjithë informacionin e nevojshëm për lojën, si shorti, seria, numri, data dhe ora e shortit, përmbledhja e pagesës për blerjen totale, përqindja e koeficientit sipas llojit të Lojës dhe çmimet potenciale që fitohen.
–    Tekst: Shumat e mundshme minimale dhe maksimale të çmimeve janë llogaritur në përputhje me Rregullat e Lojës.
–    Tekst : Shoqëria deklaron se respekton Rregullat e Lojës së ofruar
–    Tekst: E drejta për të pretenduar çmimin është deri në 90 (nëntëdhjetë) ditë të vijueshme nga dita pas datës përkatëse të Shortit.
–    Tekst : Kjo biletë shërben si vërtetim për çmimin e fituar. Ju mund të konstatoni nëse bileta juaj është fituese, në Pikat e Shitjes apo në Zyrat Qendrore të Shoqërisë
–    Barkodi
–    Tekst: Kjo Biletë është Kupon Fiskal bazuar në VKM nr. 354, datë 24.04.2014
–    Tekst : Çmimet fituese janë bruto. Tatimi në burim mbahet ne përputhje me legjislacionin fiskal ne fuqi.
–    Tekst: Mosha minimale për pjesëmarrje në këtë Lojë është sipas parashikimeve të Ligjit për Lojërat e Fatit
–    Tekst: Me pjesëmarrjen në lojë ju pranoni Rregullat e Lojës, të cilat mund t’i gjeni të publikuara ne faqen zyrtare www.lotaria.al apo në Pikat e Shitjes të Lotaria Kombëtare sh.p.k.
–    Miratuar nga Ministria e Financave
–    Vlera e Biletës

f.2 Bileta mund të përmbajë gjithashtu edhe informacione të tjera.

f.3 Bileta e cila nuk përmban informacionet thelbësore sipas pikës f.1, është e pavlefshme

g. Publikimi i çmimeve dhe rezultateve të lojës

g.1 Rezultatet e Shortit dhe çmimet respektive, publikohen në faqen zyrtare të Shoqërisë dhe/ose në Pikat e Shitjes jo më vonë se një ditë pune pas përfundimit të shortit.

gj. Mënyra dhe afati i pagesës së çmimeve

gj.1 Në përputhje me këto Rregulla, vetëm të dhënat që janë marrë nga Shoqëria për një Short specifik para Kohës së Mbylljes së Lojës dhe që i janë konfirmuar Lojtarëve nëpërmjet Biletave, do të marrin pjesë në përcaktimin e Vlerës së Luajtur, përcaktimin e numrit të fituesve brenda çdo kategorie çmimesh dhe fitimet përkatëse të këtij Shorti.

gj.2 E drejta e fitimit të çmimit mund të rezultojë vetëm nga Bileta origjinale. Të dhënat në Biletë duhet të korrespondojnë me të dhënat e marra nga Shoqëria dhe kodi mbi Biletë duhet të jetë qartësisht i lexueshëm.

gj.3 Çmimet do të paguhen pasi të ketë përfunduar përcaktimi i fituesve dhe verifikimi i pagesave të çmimeve të jetë lëshuar nga Shoqëria në përputhje me këto Rregulla.

gj.4 Çdo kërkesë për çmim do të jetë subjekt i paraqitjes dhe dorëzimit të Biletës origjinale. Pagesa e çdo çmimi do të shënohet në përputhje me rregullat në Sistemin Kompjuterik.

gj.5 Pagesa e çmimeve do të jetë subjekt i tatimit në burim.  Prandaj, çdo ndalesë që duhet kryer për llogari të çdo takse të aplikuar, do të mbahet nga vlerat e fituara në mënyrë që t’i transferohet autoriteteve tatimore në përputhje me të gjitha ligjet në fuqi.

gj.6 Shoqëria në përputhje me ligjin Nr.9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, do të marrë të gjitha masat e nevojshme parandaluese.

gj.7 Çmimet bruto deri në 100,000 (njëqindmijë) Lekë për Biletat fituese të kualifikuara në përputhje me rregullat, do t’i paguhen Mbajtësit të Biletës me para në dorë në çdo Pikë Shitje ku luhet loja GALAXY.

gj.8 Pavarësisht pikës të mësipërme gj.7, Mbajtësit e Biletave fituese të kualifikuar në përputhje me rregullat, mund të zgjedhin të kërkojnë çmimet e tyre, pavarësisht shumave të fituara, në zyrat qendrore të Kompanisë. Çmimet e kategorisë së lartë që kalojnë shumën bruto të 100,000 (njëqindmijë) Lekëve për çdo Biletë fituese të kualifikuar në përputhje me rregullat, do të trajtohen në mënyrë ekskluzive nga zyrat qendrore të Kompanisë dhe do t’i paguhen Mbajtësit të Biletës jo më herët se një javë pasi Shoqëria ka marrë formularin e kërkesës për çmimin e fituar. Këto çmime të kategorisë së lartë do të transferohen në mënyrë ekskluzive në një llogari bankare të specifikuar në formularin e kërkesës për çmimin e fituar (ose çdo metodë tjetër pagese të rënë dakord mes Kompanisë dhe fituesit të çmimit të kategorisë së lartë), që duhet të plotësohet tërësisht dhe të dorëzohet nga Mbajtësi i Biletës.

gj.9 Në rast se çmimi kërkohet në zyrat qendrore të Shoqërisë, formulari i kërkesës për çmimin e fituar së bashku me Biletën origjinale bashkëlidhur, do të qëndrojë tek Kompania. Çdo tarifë transferte bankare ose postare, si dhe të gjitha tarifat e tjera ligjore të përcaktuara apo kostot që shkaktohen në këtë kontekst, nëse do të ketë, do të paguhen nga marrësi.

gj.10 Nëse një Biletë fituese, e cila i është dorëzuar Shoqërisë së bashku me formularin e kërkesës për çmimin e fituar përfshin gjithashtu Parashikim(e) në lidhje me Shorte që do të zhvillohen në të ardhmen, Bileta do të mbahet në dosje nga Kompania derisa të zhvillohen të gjitha Shortet në të cilat merr pjesë kjo Biletë. Nëse kjo Biletë është Biletë fituese në çdo Short tjetër (që janë pas datës së dorëzimit të kësaj Bilete tek Kompania), shuma(t) përkatëse të fituara të këtij/këtyre Shorteve të tjerë do të paguhet në llogarinë bankare të deklaruar në formularin e kërkesës për çmimin e fituar, të dorëzuar më parë në Kompani. Çdo tarifë transferte bankare ose postare, si dhe të gjitha tarifat e tjera ligjore të përcaktuara apo kosto që shkaktohen në këtë kontekst, nëse do të ketë, do të paguhen nga marrësi.

gj.11 Të gjitha pagesat për fituesit do të kenë efekt reduktimi detyrimesh për Shoqërinë.

gj.12 Mbajtësit e Biletës mund të pretendojnë çmimin(et) e tyre deri në 90 (nëntëdhjetë) ditë të vijueshme nga dita pas datës përkatëse të Shortit. Pas përfundimit të këtij afati, çdo e drejtë e mundshme për tërheqjen e çmimit do të skadojë.

gj.13 Nëse fitohen disa çmime për një kontratë loje, shuma e grumbulluar e çmimeve do të merret si bazë për metodën e pagesës.

gj.14 Mbajtësi i një Biletë nuk do të ketë të drejtën e marrjes së çmimit(eve) nëse (a) Mbajtësi nuk ka mbushur ende moshën e lejuar sipas Ligjit për Lojërat e fatit, ose nuk mund të vërtetojë se ai ka mbushur këtë moshë, (b) Bileta është falsifikuar me ndonjë mënyrë, apo është korruptuar, ose (c) kodi në Biletë është i palexueshëm. Nëse një Mbajtës i një Bilete beson se Pika e Shitjes i ka refuzuar atij/asaj Çmimin për shkak të shkeljes së këtyre Kushteve, Mbajtësi i Biletës duhet të kërkojë çmimin tek Zyrat Qendrore duke plotësuar formularin e rëndësishëm të kërkesës për çmimin e fituar dhe duke e dorëzuar atë tek Shoqëria së bashku me Biletën.

gj.15 Nuk ekziston asnjë detyrim për Pikat e Shitjes ose për Shoqërinë që të kontrollojë të drejtën e Mbajtësit të Biletës.

h. Metoda, procedura dhe kontrolli i shorteve elektronike dhe llogaritja e çmimeve

h.1 Hedhja e shortit të numrave dhe simboleve në GALAXY, kryhet me anë të një gjeneruesi rastësor të numrave elektronik apo mekanik, sipas të cilit rezultatet e shortit transferohen në mënyrë elektronike.

h.2 Gjeneruesi elektronik është një Gjenerues Rastësor i Numrave i certifikuar, cili përdoret për të hedhur numrat dhe simbolet në shorte me intervale kohore të paracaktuara.

h.3 Çmimet përcaktohen duke u llogaritur nga sistemi qendror online përmes programit kompjuterik.

i. Publikimi i Rregullave të lojës

i.1 Këto Rregulla mund të gjenden në çdo Pikë Shitje sipas kërkesës , si edhe janë të publikuara në faqen zyrtare të Shoqërisë.

j. Tërheqja

j.1 Tërheqja nga kontrata e lojës përjashtohet

k. Forcat madhore dhe situata të paparashikuara

k.1 Nëse shorti i filluar nuk mund të vazhdojë për shkak të probleme teknike ( ndërprerje e energjisë elektrike, ndërprerja e transmetimit të shortit për defekte teknike ose Forcë Madhore etj.,) i njëjti short do të vazhdojë kur kushtet të lejojnë që shorti të vazhdojë. Shoqëria duhet të njoftojë Lojtarët në faqen zyrtare të Kompanisë www.lotaria.al, në kohë të përshtatshme për mënyrën e hedhjes dhe kohen e shortit.

k.2 Në rastet kur ka arsye të justifikuara, forca madhore pse mosfunksionim teknik, ose çdo arsye tjetër e cila ndodh jashtë vullnetit dhe dëshirës së shoqërisë, kjo e fundit rezervon të drejtën të anulojë shortin e skeduluar, të anulojë Biletat e blera dhe t’u kthejë mbrapsht shumat e luajtura lojtarëve.

l. Dispozita të fundit

l. 1 Shoqëria ka detyrimin të ruajë dhe të mos fshijë median elektronike për një periudhë jo më pak se shtatë vite nga data e shortit dhe e serisë

l.2 Përjashtimisht, në rast se do ketë ndonjë proces gjyqësor në lidhje me të drejtat e marrjes pjesë në lojën GALAXY, shoqëria ka detyrimin ta mbajë dhe mos të fshijë median elektronike deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Na gjeni