ARKIVA E SHTYPIT

10/04/2013 – Lotaria Kombëtare, pjesë e grupit “Austrian Lotteries” ka zhvilluar sot më datë 10 Prill 2013 ceremoninë zyrtare të prezantimit për publikun shqiptar

10 / 04 / 2013 - Kthehu tek arkiva e shtypit

Tiranë, më 10/04/2013

Lotaria Kombëtare, pjesë e grupit “Austrian Lotteries” ka zhvilluar sot më datë 10 Prill 2013 ceremoninë zyrtare të prezantimit për publikun shqiptar. Në ceremoni ishin të pranishëm Drejtori Ekzekutiv i Lotarisë Kombëtare, Z. Peter Simoner; Ambasadori i Republikës së Austrisë në Tiranë, Z. Florian Raunig; Anëtarja e Bordit të Menaxhimit të “Austrian Lotteries”, Znj Bettina Glatz-Kremsner; Zv.ministri i Financave, Z. Alfred Rushaj; partnerë të Lotarisë Kombëtare si dhe përfaqësues të biznesit austriak në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij Drejtori Ekzekutiv i Lotarisë Kombëtare, Peter Simoner prezantoi katër parimet bazë të aktivitetit të kompanisë në Shqipëri, të cilat janë:

Integritet, Siguri, Përgjegjshmëri dhe Partneritet

Më tej zoti Simoner u shpreh: “Austrian Lotteries do të sjellë në Shqipëri, përvojën dhe njohuritë e saj në fushën e Lojërave të Fatit. Ne do të ndërtojmë një sipërmarrje, e cila do t‘u përgjigjet nevojave, dëshirave dhe kërkesave që kanë të gjitha grupet e interesit. Shteti dhe populli shqiptar mund të ndihen të sigurt sepse Lotaria Kombëtare disponon mundësitë teknike, përvojë sipërmarrëse dhe kapacitete financiare për t’u ofruar personave në moshë madhore që kanë interes të luajnë, një spektër të gjerë lojërash fati argëtuese të cilësisë më të lartë dhe të sigurta”.

Drejtori ekzekutiv i Lotaria Kombëtare bëri të ditur për publikun edhe disa detaje për produktin e parë, Loto “6 nga 39”. “Bazuar në analiza gjithëpërfshirëse të tregut dhe anketime të detajuara, Lotaria Kombëtare ka ndërtuar një lojë argëtuese dhe të veçantë për tregun shqiptar. Duke filluar nga dita e hënë e kësaj jave ne i ofrojmë të gjithë personave në moshë madhore, mundësinë për të marrë pjesë në produktin Loto “6 nga 39”. Kjo lojë kombinon çmimet tërheqëse me probabilitetin e lartë të fitimit. Pjesëmarrja në këtë lojë është e mundur vetëm përmes rrjetit të pikave të autorizuara të shitjes, të cilat mund t’i dalloni nga logo e kompanisë. Shorti do të transmetohet drejtpërsëdrejti në televizion çdo të diel në orën 20:15, duke filluar nga data 21 prill”,- u shpreh zoti Simoner.

Anëtarja e Bordit të Menaxhimit të “Austrian Lotteries”, Znj Bettina Glatz-Kremsner gjatë fjalës së saj vuri theksin tek fakti që e gjithë veprimtaria e Lotarisë Kombëtare në

Shqipëri do të mbështetet fuqimisht nga “Austrian Lotteries”. Me një eksperiencë prej më shumë se 26 vitesh në tregun botëror, “Austrian Lotteries” gëzon një reputacion të lartë në Europë dhe botë në fushën e Lojërave të Fatit.

Më konkretisht Znj Bettina Glatz-Kremsner tha: “Shtetasit austriakë marrin pjesë me shumë kënaqësi në lojërat tona, pasi e dinë se përballë tyre qëndron një operator dinjitoz dhe i besueshëm, i cili prej 26 vjetësh ka treguar seriozitet dhe gëzon një reputacion të lartë. Këtë e dëshmon dhe fakti që Austrian Lotteries, para pak kohësh, mori edhe për 15 vite të tjerë koncesionin për organizimin e lojërave të lotarisë në Austri. Siguria absolute, integriteti dhe transparenca gjatë zhvillimit të lojërave tona të fatit janë parimet bazë në veprimtarinë tonë. Lojërat tona përmirësohen vazhdimisht duke zbatuar këto parime krahas teknologjisë të fjalës së fundit.

“Austrian Lotteries” prej shumë vitesh mbështesin projekte në fusha të ndryshme sociale. Këtu përfshihen shëndetësia, projekte humanitare dhe sociale, mbrojtja e mjedisit, shkenca dhe kërkimi si dhe mbështesim projekte dhe institucione të ndryshme në fushën e artit dhe kulturës. E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, dëshiroj të theksoj që “Austrian Lotteries” është një nga mbështetësit më të mëdhenj të sportit në Austri”.

Shteti austriak një prej aksionerëve të “Austrian Lotteries”, pjesë e së cilës është edhe Lotaria Kombëtare. Ky fakt u bë i ditur nga Ambasadori i Republikës së Austrisë në Tiranë, zoti Florian Raunig. Duke e cilësuar licencën e Lotarisë Kombëtare si një nga shembujt më të mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, zoti Raunig u shpreh: “Austria është një nga investitorët më të mëdhenj në Shqipëri dhe jemi krenarë për besimin që i është dhënë Austrisë për të zhvilluar aktivitetin e Lotarisë Kombëtare në Shqipëri. Kjo do të thotë edhe një besim për shtetin austriak sepse shteti austriak është bashkëpronar me 22% i Austrian Lotteries”.

Në emër të shtetit shqiptar, si autoriteti licencues, në prezantimin zyrtar ishte i pranishëm Zv. Ministri i Financave, zoti Alfred Rushaj. “Për Ministrinë e Financave dhe qeverinë shqiptare ishte parësore zgjedhja e një operatori të sprovuar, i cili do të ishte në gjendje që të plotësojë të gjitha kriteret si dhe aftësitë teknike e financiare për të zhvilluar këtë biznes. Mbi të gjitha vlerësuam një operator që ka demonstruar se ka politika për Lojërat me Përgjegjshmëri ndaj publikut”,- tha gjatë fjalës së tij zv.ministri i Financeve, zoti Alfred Rushaj.

Prej dy ditësh të gjithë shqiptarët në moshë madhore kanë mundësinë që të marrin pjesë në lojën e parë të Lotarisë Kombëtare, Loto “6 nga 39”. Çmimi i madh i kësaj loje është 10 milionë lekë. Shortet e lojës Loto “6 nga 39” do të transmetohen drejt për drejtë çdo të diel në TV duke filluar nga data 21 Prill 2013. Numrat fitues do të publikohen edhe në gazeta, pikat e shitjes si dhe në internet.

Na gjeni