ARKIVA E SHTYPIT

28/03/2014 – Lotaria Kombëtare, pjesë e grupit Austrian Lotteries, nën kujdesin e Shoqatës Europiane të Lotarive organizon për herë të parë në Shqipëri konferencën “Lojëra me Përgjegjshmëri”

28 / 03 / 2014 - Kthehu tek arkiva e shtypit

Tiranë, 28/03/2014

Lotaria Kombëtare, pjesë e grupit Austrian Lotteries, nën kujdesin e Shoqatës Europiane të Lotarive organizon për herë të parë në Shqipëri konferencën “Lojëra me Përgjegjshmëri”

Lotaria Kombëtare, pjesë e grupit Austrian Lotteries, nën kujdesin e Shoqatës Europiane të Lotarive, zhvilloi sot, për herë të parë në Shqipëri, një konferencë me temën “Lojërat me Përgjegjshmëri”. Në këtë konferencë morën pjesë operatorët e përfshirë në fushën e lojërave të fatit, përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe enteve rregullatorë të lojërave të fatit, akademikë, grupe të ndryshme interesi si dhe ekspertë ndërkombëtarë në fushën e “Lojërave me Përgjegjshmëri”. 

Konferenca u organizua nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Shoqatës Evropiane të Lotarive, zotit Friedrich Stickler. Të pranishëm në konferencë ishin edhe Ambasadori i Republikës së Austrisë në Shqipëri, Z. Thomas Schnoll; Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Z. Erion Veliaj si dhe drejtoresha e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Znj. Luneda Sufali.

Të ftuar specialë në këtë Konferencë ishin Dr. Mark Griffiths, Profesor në Departamentin e Psikologjisë/ Njësia Kërkimore Ndërkombëtare/ Nottingham Trent University, UK; Mag. Andreas Prenn, Drejtor i “SUPRO Werkstatt für Suchtprophylaxe”, Vorarlberg, Austria dhe Dr. Doris Thaler, Psikoterapiste, Qendër Këshilluese “Bad Bachgart”, Bolzano, Itali. 

Konferenca, një risi absolute në Shqipëri, vuri theksin në rëndësinë që kanë politikat e “Lojërave me Përgjegjshmëri” dhe hapat pozitivë të ndërmarrë nga Lotaria Kombëtare pjesë e grupit Austrian Lotteries, në këtë fushë. 

Pikat kryesore që u trajtuan gjatë kësaj konference ishin ndërgjegjësimi i publikut të gjerë, mbrojtja e grupeve vulnerabël, strategjitë parandaluese, rëndësia e bashkëpunimit me shërbimet sociale në lidhje me fenomenin e varësisë, si dhe rëndësia  për të zhvilluar shërbime të specializuara trajtuese etj.

Një fjalë të veçantë mbajti edhe Presidenti i Shoqatës Evropiane të Lotarive, Z. Friedrich Stickler, njëherazi dhe anëtar i Bordit Menaxhues të Austrian Lotteries. Duke u fokusuar tek rëndësia e Lojërave me Përgjegjshmëri Z. Stickler tha se  qëllimi i kësaj konference është të arrijë një konsensus që parimi “Lojëra me Përgjegjshmëri” është një përgjegjësi që duhet ndarë mes të gjitha palëve të përfshira në industrinë e Lojërave të Fatit siç janë kompanitë e lojërave të fatit, qeveria, operatorët, OJQ-të etj. “Lotaria Kombëtare është një nga anëtarët më të rinj të Shoqatës Evropiane të Lotarive si dhe anëtare e Grupit të Punës për Lojëra me Përgjegjshmëri të Shoqatës Europiane të Lotarive, grup ky i cili synon të promovojë dhe përshtatë praktikat më të mira mes të gjithë anëtarëve. Qëllimi ynë kryesor është t’i japim mundësi anëtarëve të bëjnë parimin “Lojëra me Përgjegjshmëri” pjesë të veprimeve të tyre të përditshme duke minimizuar kështu  dëmin që mund t’i shkaktohet shoqërisë”,- tha zoti Stickler. 

Gjatë fjalës së tij në Konferencë, Drejtori Ekzekutiv i Lotarisë Kombëtare pjesë e grupit Austrian Lotteries, Z. Peter Simoner u shpreh: “Lotaria Kombëtare ka zgjedhur rrugën e Lojërave me Përgjegjshmëri, rrugë kjo e  nisur nga Austrian Lotteries më shumë se 27 vite më parë. Fëmijët, të rinjtë dhe grupet vulnerabël nuk janë dhe nuk do të jenë asnjë herë grupi i synuar për produktet e Lotarisë Kombëtare. Me gamën e produkteve tona, synojmë vetëm personat madhorë mbi moshën 18 vjeç. Menaxherët dhe punonjësit tanë marrin pjesë çdo vit në seminare dhe trajnime të konceptuara enkas për ta, nga ekspertë të lojërave të fatit. Kontratat me partnerët e rinj të shitjeve mund të nënshkruhen vetëm pasi të kenë kryer me sukses trajnimin për lojërat me përgjegjshmëri”.

Ministri e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Z. Erion Veliaj, vlerësoi iniciativën e Lotarisë Kombëtare dhe vuri theksin në shembullin pozitiv që po përcillet tek publiku shqiptar. “Ky është një moment reflektimi dhe të gjithë ne duhet të kuptojmë se kjo që po bën sot Lotaria Kombëtare është shumë e rëndësishme. Ky aktivitet tregon që mund të jesh një biznes i suksesshëm, por dhe të jesh i kujdesshëm për standardet profesionale. Jam shumë mirënjohës që Lotaria Kombëtare ka respektuar këto standarde. Më vjen shumë mirë që Lotaria Kombëtare po zbaton të njëjtat standarde në Shqipëri si në Austri dhe vendet e tjera europiane”, tha ministri Veliaj.

Gjatë punimeve të Konferencës, ekspertë të njohur ndërkombëtarë në fushën  e Lojërave me Përgjegjshmëri ndanë eksperiencën  e  modeleve funksionale Evropiane lidhur me implementimin dhe zbatimin e standardeve të “Lojërave me përgjegjshmëri”, shërbimeve parandaluese si dhe shërbimeve mbështetëse në trajtimin e problemeve të vartësisë.

Në fjalën e tyre, ekspertët ndërkombëtarë në fushën e Lojërave me Përgjegjshmëri Dr. Mark Griffiths, Mag. Andreas Prenn dhe Dr. Doris Thaler shpjeguan për të pranishmit në sallë rëndësinë e veçantë që ka mbrojtja e lojtarëve, të miturve dhe grupeve vulnerabël nga fenomeni i varësisë ndaj lojërave të fatit. 

Gjatë diskutimeve në konferencë u  ngrit rëndësia e krijimit të një bashkëpunimi ndër-institucional ndërmjet shtetit, enteve rregullatorë, institucioneve monitoruese dhe agjencive përkatëse publike ose private. Lotaria Kombëtare shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për të ofruar asistencën e saj në rritjen e standardeve dhe kapaciteteve për të luftuar fenomenin e varësisë ndaj lojërave të fatit.  

Në fund të konferencës, drejtuesit e Lotarisë Kombëtare, shpërndanë certifikata dhe çmime mirënjohjeje për partnerët e shitjeve me performancë më të mirë. 

Na gjeni